Investimi si çelës për integrimin e Veriut
By adri | Shtator 2, 2010
Investimi si çelës për integrimin e Veriut
botuar tek gazeta Shqip
Prej muajsh po vërtitet sërish ideja e ndarjes së Kosovës dhe shkëputjes së Veriut. Pasiviteti i jashtëzakonshëm i qeverive të njëpasnjëshme të Kosovës ndaj Veriut po krijon bindjen te ndërkombëtarët se Veriu në vetvete nuk është aq i rëndësishëm për kosovarët, kështu që mund edhe të ndahet. Ka ardhur momenti që qeveria e Kosovës të veprojë intensivisht për të krijuar te të huajt bindjen se Veriu është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën.
Një mënyrë për të dëshmuar rëndësinë e Veriut është rritja e buxhetit në investime për integrimin e plotë të Veriut të Kosovës. Fatkeqësisht investimet nuk kanë shkuar ku është interesi më i madh shtetëror, por janë përqendruar atje ku ka qenë më e lehtë me vjedh apo atje ku qeveritarëve iu ka leverdisur politikisht (zona me interes elektoral ose me përqendrim militantësh që shpërblehen për zellin). Serbia është e vetëdijshme që e ka humbur Kosovën dhe prapëseprapë investon fuqimisht aty, kurse Prishtina ka boll shanse ta mbajë Veriun e gjithsesi nuk investon në mënyrë domethënëse aty.
Për integrimin e Veriut duhen të ndërmerren një sërë investimesh strategjike infrastrukturore për të përmbushur dy objektiva. Së pari, këto pjesë të Kosovës duhet të lidhen më mirë me rrugë me pjesën tjetër të vendit dhe jo si tani kur Mitrovica është shndërruar në nyjën gordiane, sepse është ura e vetme e lidhjes me Jugun. Së dyti, për t’i bërë serbët e Veriut që të ndihen më rehat në Kosovë duhet që zona ku banojnë ata të shndërrohet nga një ishull i izoluar në një zonë transiti të rrugëve ndërkombëtare.
Për të përmbushur objektivin e parë është e nevojshme që komunat e Veriut të lidhen me pjesën perëndimore të Kosovës, nëpërmjet ndërtimit të një rruge të re në trajektoren Istog-Rakosh-Uçë-Cërkolez-Drenë-Zagul-Jabukë-Zubin Potok. Ndërsa për ta lidhur me pjesën lindore, nevojitet ndërtimi i rrugës automobilistike Podujevë-Pakashticë e Poshtme-Repë-Pollatë-Brecë-Murgullë-Borçan-Moshnicë-Soçanicë-Leposaviq. Duhet që edhe Trepça të lidhet më mirë me Podujevën, duke ndërtuar një rrugë automobilistike cilësore, Podujevë-Dobratinë-Kaqandoll-Bajgorë-Trepçë.
Përpos kësaj, integrimi i Veriut kërkon rishqyrtimin e planeve aktuale. Është e vërtetë që autostrada Prishtinë-Merdare është më e leverdishme, ama për arsye strategjike do të ishte më e nevojshme ndërtimi i autostradës Veriu-Jug, që do të lidhte Hanin e Elezit me pikën kufitare të Jarinjës. Ndërkohë që Beogradi nuk rresht investimet për infrastrukturën e serbëve të Kosovës, është e pafalshme që qeveria e Kosovës i ka lënë enklavat shqiptare në Veri në mëshirë të fatit. Ndërtimi i rrugëve Lisicë-Lipë-Boletin-Zhazhë-Vllahi-Zijacë-Maxherë-Vidishiq si dhe Vidishiq-Bistricë e Shalës-Koshtovë-Cerajë-Kamenicë do të mundësonin nxjerrjen e shumë shqiptarëve të Veriut nga getoizimi.
Rivënia në funksion dhe modernizimi i linjës hekurudhore Veri-Jug është domosdoshmëri për reintegrimin e Veriut. Qeveria e Prishtinës duhet të ushtrojë sa më shumë presion te KFOR dhe EULEX, që të vihet nën kontroll të plotë dhe rifunksionalizohet linja hekurudhore Hani i Elezit-Kaçanik-Gurëz-Ferizaj-Lipjan-Fushë Kosovë-Obiliq-Vushtri-Mitrovicë-Zveçan-Leposaviq-Leshak. Prishtina zyrtare duhet të ketë kurajën që të bëjë presion ndaj të huajve, duke qenë se treni i transporton udhëtarët jo vetëm shpejt, por edhe në mënyrë më të sigurt.
Objektivi i dytë synon riintegrimin dhe uljen e tensionit etnik duke e shndërruar Veriun në arterie kryesore të transitit të trafikut automobilistik ndërkombëtar. Nëse ndërtohet autostrada Prishtinë-Jarinjë, qytetarët e Shqipërisë mund ta përdornin këtë drejtim si rrugën kryesore drejt Beogradit dhe Europës Qendrore. Serbia Qendrore e Perëndimore do të lidhej më shpejt me Shkupin nëpërmjet kësaj autostrade sesa nëpërmjet Nishit. Në kuadër të këtij objektivi të dytë, Republika e Kosovës strategjikisht duhet të bëjë çmos që të përfshihet në rrjetet ballkanike të transportit e të shndërrohet në një udhëkryq për vendet fqinje. Për këtë arsye, duhet nxitur Tirana për të realizuar dy projekte rajonale me vlerë për Kosovën. Së pari, është me shumë rëndësi për Kosovën që të nxitet Tirana dhe Shkupi që të realizojnë sa më shpejt ndërtimin e hekurudhës Lin-Strugë-Kërçovë, në kuadër të korridorit VIII. Studimet e fizibilitetit tregojnë se Shqipërisë i duhen 10 milionë euro për të ndërtuar 2.8 kilometrat e hekurudhës nga Lini deri në kufi, Maqedonisë i duhen rreth 200 milionë euro për 66 kilometrat prej kufirit e deri te linja ekzistuese në Kërçovë. Nëse kjo lidhje hekurudhore realizohet, Kosova ka për t’u lidhur edhe me hekurudhë me Shqipërinë dhe ka për t’u shndërruar në pikë transiti të komunikimit hekurudhor prej Durrësit drejt Serbisë e Europës Qendrore. Së dyti, nëse ndërtohet me bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi, rruga Deçan-Plavë-Vermosh-Tamarë-Podgoricë, atëherë një pjesë e mirë e Serbisë do të lidhej më shpejt me Podgoricën, duke kaluar nëpër Kosovë, sesa duke kaluar nga krahina e Sanxhakut apo Zllatiborit.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Negociatat për veriun dhe naiviteti i pranimit te shkëmbimit të territoreve
By adri | Gusht 31, 2010
Negociatat për veriun dhe naiviteti i pranimit te shkëmbimit të territoreve
botuar tek gazeta Shqip
Në këtë periudhë vendin e entuziazmit të vendimit të GJND-së e ka zënë sikleti i rezolutës serbë dhe përfolja e negociatave të reja që më sa duket kanë për të vënë në tryezë fatin e veriut të Kosovës. Fakti që negociatat janë duke u kërkuar prej Serbisë tregon qartë që ato s’janë në interes të Kosovës. Me këtë nismë qeveria serbe po përpiqet të siguruar maksimumin nga Kosova në minimumin e kohës meqenëse përpjekjet e saja me diplomacinë dhe me strukturat paralele nuk kanë pasur sukses. Faktikisht mes serbëve po rritet vazhdimisht integrimi në shtetin e ri kosovar. Për shembull është rritur numri i të kthyerve, janë shtuar ndjeshëm mediat lokale serbe , janë shumëfishuar formacionet politike serbe që marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, mbi 20 mijë serbë kanë marrë dokumentet kosovare të identifikimit, është shtuar numri i serbëve në administratën publike etj. Gjithashtu pjesëmarrja e serbëve të veriut në zgjedhjet e strukturave paralele në maj ishte vetëm 28% kurse pjesëmarrja e serbëve të Parteshit në qershor qe mbi 65%.
Pavarësisht se këto fakte tregojnë që përpjekja për reintegrimin e serbëve nuk është aspak një luftë e humbur, nëpër qarqet shqiptare po forcohet një mendim disfatist për të ardhmen e veriut. Gjithnjë e më shumë persona kyç të vendimmarrjes dhe opinionbërjes po thonë nën zë se veriu i Kosovës mund të sakrifikohet për hir të njohjes nga Serbia dhe përfitimit të anëtarësisë në OKB. Kjo naivitet është fatkeqësisht i pranishëm edhe tek politikanët e Tiranës të cilët flasin lirshëm për shkëmbime territoresh sikur të flisnin për gurë shahu . Edhe mes ndërkombëtarëve, sidomos pas mungesës së efikasitetit të qeverisjes dhe nivelit të lartë të korrupsionit, është duke u krijuar një zhgënjim dhe lodhje lidhur me ecurinë e Kosovë që po i shtyn të mendojnë se veriu po shndërrohet në një gangrenë që duhet të amputohet shpejt për të shpëtuar pjesën tjetër të trupit të Kosovës. Kjo lloj sosje durimi me Kosovën demonstrohet edhe nga mungesa e përpjekjeve të UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it për të ndihmuar në vendosjen e një situate normale në veri, në reintegrimin e veriut me pjesën tjetër të Kosovës dhe në heqjen e strukturave paralele të komanduara nga Beogradi.
Mbështetja që po manifestohet mes shqiptarëve për shkëmbimin e pothuaj 15% të territorit të Kosovës me luginën e Preshevës është një iluzion naiv i rrezikshëm për fatin e shqiptarëve. Ulja e qeverisë kosovare në tryezë për të diskutuar për shkëmbim territori thjesht do konfirmojë tek ndërkombëtarët që veriu nuk është i shtrenjtë për kosovarët. Ky hap do të rrezikojë integritetin e shtetit të Kosovës pa garantuar aneksimin e luginës së Preshevës.
Madje ka shumë gjasa që skenari të jetë kundërproduktiv për bashkëkombësit e Preshevës. Shkëputja e veriut të Kosovës me siguri do të nxisë shumë nga serbët e jugut të lëvizin drejt veriut dhe ky largim mund të çojë në reprezalje ndaj shqiptarëve të luginës së Preshevës duke shkaktuar shpërnguljen e tyre. Sot mund të thuhet se mbajtja e veriut dhe e një përqindje domethënëse serbësh brenda territorit të Kosovës është e vetmja garanci për mbijetesën e pakicës shqiptare në Serbi. Heqja dorë nga veriu dhe pranimi i shkëputjes nuk ka për të qenë një ilaç çudibërës që t’iu heqë qeveritarëve të Prishtinës kokëdhimbjen e shkaktuar prej serbëve. Me marrjen e veriut të Kosovës, Beogradi nuk ka për t’u ndalur sepse në jug do ngelen monumentet kryesore fetare dhe rreth 2/3-at e popullsisë serbe të Kosovës. Përveç dëmit politik dhe simbolik, e ardhmja ekonomike e Kosovës do vihej në pikëpyetje nga shkëputja e veriut. Liqeni i Gazivodës që ndodhet në Zubin Potok është burimi nevralgjik sepse siguron ujë të pijshëm për një pjesë të mirë të popullsisë si dhe vazhdimësinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe të funksionimit të industrisë minerare . Me shkëputjen e veriut do gjymtohej pasuria nëntokësore pasi minierat e plumb-zinkut në Bellobërdo, Ciçavicë dhe Cërnac si dhe një pjesë e Trepçës gjendjen në pjesën veriore. Për mos të folur pastaj për humbjen e pasurive në pyje, kullota dhe tokë bujqësore.
Prandaj i gjithë faktori shqiptar në Ballkan e diasporë duhet të mobilizohet e ta bëjë të qartë që pakoja e Ahtisaarit ka qenë shumë më tepër sesa duhej lëshuar nga Prishtina ndaj një populli që s’ka treguar fijen e pendesës për krimet e shkaktuara. I duhet thënë ndal njëherë e mirë bisedimet që mbartin kosto vetëm për shqiptarët. Nëse ndërkombëtarët bëjnë presion për negociata që synojnë aneksimin e veriut të Kosovës nga Serbia atëherë lind e drejta legjitime që shqiptarët të kërkojnë automatikisht të njëjtin standard homogjeniteti etnik që po iu jepet serbëve, dhe të pretendojnë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare të Ballkanit në një shtet të vetëm shqiptar.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Osmanofobia si përpjekje për të minimizuar dëmet e komunizmit
By adri | Gusht 29, 2010
Osmanofobia si përpjekje për të minimizuar dëmet e komunizmit
botuar tek gazeta Shqip
Në një intervistë të historianit të shquar anglez, Noel Malcolm, të marrë para pak ditësh nga gazetarja Jeta Xharra për emisionin “Jeta” në Kosovë, Malcolm foli gjatë e gjerë lidhur me zhvillimet politike në Kosovë. Mirëpo një ndër gjërat më interesante që përmendi ishte fakti që tiparet negative të manifestuara në Ballkan e kanë origjinën tek e kaluara e afërt e komunizmit, si dhe te rrethanat konkrete shoqërore të tanishme si varfëria, institucionet e brishta e të tjera. Sipas tij, “në rastin e ballkanasve, unë do të thoja se 50 vitet e komunizmit janë shumë më të rëndësishme si pjesë e sfondit kulturor, sesa afërsisht 500 vitet e sundimit osman”.
Nuk ka vend ku kjo gjë të jetë më e vërtetë sesa për vendin tonë i cili e ka përjetuar totalitarizmin komunist në formën e vetë më të rreptë e të kulluar. Një inxhinieri e mirëfilltë sociale e përmasave të skajshme që ndërhyri pa kujdes edhe në pjesët më intime të jetës së individit. Më keq dhe intruziv se edhe vetë nazizmi, i cili kishte korporatizëm në ekonomi, por nuk të zhvishte nga prona private siç ndodhi me kolektivizimin dhe tufëzimin tonë. Nuk eliminoi fenë dhe nuk ndërhynte aq thellë në familje dhe jetën private siç bënte përpjekja komuniste për të krijuar njeriun e ri. Është e vështirë që t’i mvishet faji periudhës osmane të historisë shqiptare kur vetë kalimi nëpër një regjim si ky komunist e lë të kuptohet qartë që ka qenë pothuaj një tabula rasa për traditën shqiptare të deriatëhershme.
Pikësëpari ekzistojnë sot shumë disiplina shkencore që kanë shumë më tepër instrumente për të shpjeguar në mënyrë më të thellë dhe më kompetente realitetin e sotshëm sesa historia. Sociologjia, shkencat politike, ekonomia, psikologjia dhe jurisprudenca kanë shumë më tepër për të thënë sesa mendimi fatalist i kultivuar tek ne që çfarë do bëhet është shkruar në të kaluarën.
Fillimisht duhet thënë se determinizmi historik në vetvetë, pra kjo bindja se zhvillimet janë të parapërcaktuara dhe shkaktuara nga zhvillime apo situata historike të mëhershme, është një përqasje tipike rudimentare marksiste tek ne. Kjo përqasje është një reminishencë e drejtpërdrejtë e determinizmit historik marksist që vinte në formën e materializmit dialektik që e shikonte ecjen e historisë të kornizuar nëpër disa etapa, të karakterizuar kryekëput nga lufta e klasave dhe të mbërthyer nga disa ligje të pandryshueshme që e bënin të pashmangshme një rrjedhë të caktuar të historisë. Me pak fjalë, historia është e përcaktuar si një lëvizje rendesh primitiv, skllavopronar, feudal, kapitalist dhe prej Marksit në mënyrë të pashmangshme historia ishte e parapërcaktuar që do të shkohej në rendin sipëror socialist.
Determinizmi historik si përqasje është i dyshimtë në një realitet monoton dhe të pandryshueshëm të shteteve si Zvicra apo Suedia e jo më Shqipëria ku historia karakterizohet nga pavazhdueshmëria. Shqiptarët e shkretë pas ikjes së osmanëve kanë kaluar tre realitete tronditëse, historike që i bën të papërfillshme gjurmët e lëna nga sundimi osman. Shqiptarët jo vetëm që kanë kaluar gjatë shekullit 20 pushtimin fashist dhe regjimin komunist, por edhe një dhunë e kërcënim të vazhdueshëm të dhunës prej fqinjëve shovinistë, kolonizimit dhe pastrimit etnik. Faktikisht asnjë komb tjetër në Europë nuk ka pasur përjetimin e gjenocidit, shpërnguljes, tkurrjes edhe aparteidit që kanë pasur shqiptarët, duke pasur parasysh përmasat demografike dhe territoriale. Kur u shpall pavarësia jonë prej Perandorisë Osmane, shqiptarët jetonin në rreth 75 mijë kilometra katrorë dhe sot, pothuaj një shekull më pas shqipja flitet vetëm në rreth 45 mijë kilometra katrorë.
Traumat e këtyre përvojave e kanë tronditur rëndë shoqërinë shqiptare por komunizmi te shqiptarët e Shqipërisë ka qenë veçanërisht transformues dhe gjurmëlënës dhe ka pasojë të drejtpërdrejtë në atë që ndodh tek ne sot. Pra kjo analizë lë të kuptohet që gjithë kjo prani masive e historisë së fillim shekullit 20, si dhe diskutimi lidhur me ndikimin osman në vendin tonë sot është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm. Mjafton të shohim mungesën e ringjalljes fetare pas rënies së komunizmit për të kuptuar impaktin e politikës ateiste komuniste. Numri i besimtarëve aktivë sot është i papërfillshëm krahasuar me shtete të tjera lindore. Për këto arsye të duket çudi që në ligjërimin publik flitet kaq dendur për problemet që pretendohen se na lindin nga trashëgimia otomane dhe nuk bëhen analiza aq sa duhet për pasojat e regjimit komunist. Për të mos folur pastaj që periudha e pushtimit fashist në Shqipëri nuk përmendet fare dhe të krijohet përshtypja që ardhja e këtyre forcave perëndimore pushtuese si Italia dhe Gjermania trajtohet sikur të ketë qenë një “aksident pozitiv dhe qytetërues” për Shqipërinë.
Në fakt, shpjegimi i gjithë kësaj tendence s’ka aspak të bëjë me dobinë e përkujtimit dhe shqyrtimit të rolit të pesëqindvjeçarit otoman por me nevojën e shumë individëve që të sigurojnë harresën e diktaturës pesëdhjetëvjeçare. Shumë prej personaliteteve që dominojnë jetën publike në Shqipëri kanë pasur lidhje me atë regjim ose kanë qenë pjesë përbërëse e tij, janë lançuar dhe promovuar nga sistemi i dikurshëm, statusin që gëzojnë sot e kanë si inerci të privilegjeve që kanë gëzuar gjatë atij regjimi, kanë pasur lidhje familjare dhe personale me nomenklaturën, janë formuar dhe kalcifikuar intelektualisht nga ai regjim dhe për rrjedhojë ngelen nostalgjikë të tij. Me pak fjalë ne nuk kemi pasur një zëvendësim të mirëfilltë të elitës sonë, por thjesht një riqarkullim brenda të vjetërve, një inerci të elitës së vjetër që sot vjen e rifreskuar me trashëgimtarë të rinj.
Individëve të kësaj elite iu leverdis të flasin për otomanizmin e t’ia mveshin fajin sundimit turk për të minimizuar dhe relativizuar përgjegjësinë e komunizmit. Për rrjedhojë edhe të tyren që shpesh kanë qenë pjesë e sistemit. Këtyre individëve iu konvenon kultivimi i një amnezie sociale, lidhur me tiparet mizore të regjimit komunist në Shqipëri dhe pasojat e shumta që ka lënë sot, sepse përndryshe do të trondisnin themelet e statusit të tyre social të sotshëm. Shumë prej tyre nuk kanë gojë të nxjerrin në shesh fajet e regjimit komunist, sepse kanë qenë pjesë përbërëse e tij. Nuk kanë as kurajën të distancohen nga ai regjim, duke e pranuar me ndershmëri përgjegjësinë e rëndë historike të kastës së atij regjimi, edhe nëse mund të kenë pasur lidhje biologjike, shpirtërore apo nepotike me ta.
Prandaj është bërë në modë sot te ne orientalizmi, si një taktikë për të eklipsuar dhe amnistuar rolin që ka luajtur e vazhdon të luajë pesëdhjetëvjeçari i regjimit komunist dhe si një orvatje për të mbrojtur vetë trashëgimtarët e elitës komuniste. Diskutimi mbi pasojat e osmanizmit ishin më se të arsyeshme për elitën shqiptare të viteve ‘20-‘30, pasi gjurmët ishin ende të freskëta dhe këto diskutime kishin realisht dobi për realitetin e aktualitetit të atëhershëm. Mirëpo rikthimi në qendër të vëmendjes të të njëjtave tema të diskutimit në periudhën e sotshme, ndërkohë që ne ende nuk i kemi qëruar hesapet siç duhet me komunizmin dhe plagët e hapura të lëna pas prej tij, është padyshim një përpjekje dashakeqe për të revizionuar historinë dhe pasojat e totalitarizmit në Shqipëri. Mbajtja e vëmendjes te diçka që ka ndodhur shumë kohë më parë, dhe largimi i përqendrimit nga ajo që na ka ndodhur pak kohë më para apo vazhdon të na ndodhë, është një sabotim i memories sonë kolektive. Kjo përpjekje për të mohuar dhe retushuar historinë bashkëkohore, duke kanalizuar debatin ekskluzivisht tek trashëgimia otomane, duket që synon të pengojë shoqërinë tonë që të distancohet, pastrohet njëherë e mirë nga totalitarizmi komunist. Pra një instrument i trashëguar prej komunizmit, sikurse është determinizmi historik, është duke u përdorur për të fshehur e minimizuar rolin e trashëgimisë komuniste nëpërmjet një diversioni të bërë në debatin publik. Ky diversion ka për qëllim ekzagjerimin në sytë e opinionit publik të impaktit të sotshëm të asaj që na ka ndodhur mbi 100 vjet më parë dhe minimizimin e rolit të vuajtjeve të pësuara gjatë pesëdhjetë viteve të fundit.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Amnistia fiskale, dështimi i radhës i shtetit të së drejtës
By adri | Gusht 20, 2010
Amnistia fiskale, dështimi i radhës i shtetit të së drejtës
botuar tek gazeta Shqip
Prej ca kohësh janë ndezur në Shqipëri diskutimet për bërjen e një amnestie fiskale të përgjithshme. Kuptohet qartë që në kushtet e krizës ekonomike që ka pllakosur, qeveria është e dëshpëruar që të shtjerë në dorë të ardhura nga çfarëdo burimi pa vrarë shumë mendjen për pasojat afatmesme. Mirëpo në këtë situatë më mirë do ishte të legalizohej droga e lehtë dhe prostitucioni e të vileshin taksa prej këtyre aktiviteteve, sesa të bëhej një tjetër dorëzim i shtetit para padrejtësisë dhe sërish shteti t’i trajtonte qytetërët në mënyrë të barabartë. Marrja përsipër e këtij projekti nga qeveria është imorale për shumë arsye. Piksëpari sepse është e pandershme për shtetin ligjor, dhe përkundrejt njerëzve të ndershëm. Një amnesti çimenton pandëshkueshmërinë dhe shpërblen shkelësin dhe kriminelin dhë dekurajon të gjithë ata që kanë vendosur të ecin në rrugë të drejtë.
Përpos kësaj, është imorale që një reformë e tillë kaq e rëndësishme nuk ka qenë propozuar në asnjë platformë elektorale ose program partiak. Opinioni i qytetarëve nuk mund të vazhdojë të shpërfillet pafundësisht dhe shteti nuk mund të vazhdoj gjithnjë të administrohet me improvizime dhe arnime që bëhen në rrugë e sipër si ta sjellë situata.
Një tjetër problem i madh i kësaj nisme lidhet me papërputhshmërinë që do kishte amnestia me ligjin e sapokaluar të anti-mafies. Nga një anë shteti ka një ligj që autorizon konfiskimin e pronës apo pasurisë private për të cilën nuk vërtetëtohet burimi i ligjshëm dhe nga ana tjetër mendohet të kaloj një ligj që do të legalizojë çdo lloj prone apo pasurie të paligjshme. Mes dy ligjeve që bien ndesh me njëri tjetrin, kuptohet që gjithçka do ngelet në dorën e Maliqit, i cili do të vendosë në mënyrë arbitrare, i ndikuar nga lidhjet partiake, nepotike apo ryshfetet, që të aplikojë njërin apo tjetrin ligj. Kjo gjë nuk ëshë as serioze me partnerët ndërkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë na jep një imazh të keq para Bashkimit Evropian. Fundja kur u bë ligji anti-mafia u pretendua se ligji ishte dëshmi e angazhimeve serioze të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe i shërbente përshpejtimit të procesit të integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave.
Zakonisht amnistitë bëhen në një situatë kur shteti ka aftësi të shtrëngojë në vijim situatën dhe të lërë të kuptohet që prej sot e tutje këto shkelje nuk do të tolerohen, por do të pengoneh ose do të ndëshkohen rëndë. Kuptohet që nëse kjo gjë nuk bëhet, atëhere çfarë interesi do kishte një zotërues parash të pista që të legalizohej. Ai do vazhdonte të ushqente iluzionin se edhe në të ardhmen do të mund të tolerohet evazioni fiskal prandaj. Ne tanimë kemi pasur disa amnisti të bëra hera herës të cilat nuk e kanë ndaluar fenomenin për të cilën u bënë, sepse shteti nuk solli ndonjë shtrëngim të madh më pas ose ishte i papërgatitur për to. Rasti tipik është legalizimi i ndërtimeve pa leje që amnistoi zaptimin e tokës dhe ndërtimet pa kriter i cili nuk ia ka dalë t’i vërë fre ndërtimeve abuzive që ende sot vazhdojnë anembanë Shqipërisë. E njëjta mund të thuhet për amnistitë për vjedhësit e energjisë elektrike apo amnistitë e panumërta të bëra për gjithnjë e më shumë të burgosur. Për mos të folur pastaj për amnistinë e 11 marsit 1997, që jo vetëm nuk parandaloi, por i inkurajoi krimet e panumërta që ndodhën në pjesën e ngelur të vitit.
Një tjetër aspekt shumë i pandershëm i kësaj nisme është edhe vetë përqindja e penalizimit që hamendësohet të derdhin ata që do duan të formalizojnë paratë e pista. Nga përfaqësues të qeverisa apo të biznesit po përflitet një përqindje prej 3-5% që është jo vetëm qesharake por edhe shumë e rrezikshme për vendin tonë. është qesharake në vetëvete që “indulgjencat” për “larjen e mëkateve” të jenë kaq të lira dhe shkelësit e ligjit ta hedhin lumin kaq lehtë ndërkohë që në Shqipëri biznesmenët e ndershëm paguajnë një TVSH prej 20% dhe një tatim fitimi prej 10%. Kjo do të thotë që nëse kalon një ligj amnistie në Shqipëri me këto tarifa, çdo biznesmeni që deri sot i ka paguar detyrimet kokër më kokër, i leverdis që të dalë në të zezë e të ardhurat e tija të vitit t’i deklarojë si të pista e të paguajë maksimumi 5% sesa minimumin e 30% që i takon duke qenë formal. Në dhjetor të vitit 2002, kur kancelari Shrëder deklaroi një plan për të bërë amnesti për shtetasit gjermanë që kishin asete jashtë vendit, ai parashikoi që ata që do i ktheni këto para në vend do paguanin të paktën 25% të pasurisë. Por në këtë rast ishte paraparë që të amnestoheshin evazionistët e taksave dhe do sqarohej mënyra si ishte vënë ajo pasuri, kurse në rastin tonë po bëhet fjalë që të mbyllen sytë plotësisht për burimin nga kanë ardhur paratë duke e çuar në kosh të plehërave ligjin anti-mafia.
Mirëpo ka një aspekt tjetër që e bën këtë tarifë të ulët shumë të rrezikshme, konkurrueshmëria e saj me aktivitetet e pastrimit të parave në nivel ndërkombëtar. Domethënë sipas institucioneve ndërkombëtare të ligjit siç ëshë Interpoli, shuma që trafikantët paguajnë nëpër parajsa fiskale si ishujt Kajman apo Bahamas për të pastruar paratë është diku tek 3 deri në 5 përqind të totalit që do të thotë që shumë pastrues parash mund të joshen nga një amnisti fiskale e mundshme jona që ta transferojnë këtë aktivitet në Shqipëri duke na përlyer me rrjete të fuqishme kriminale ndërkombëtare me të cilat nuk jemi hiç të përgatitur për t’u përballur. Gjithashtu ka për të nxitur një reagim të madh kundër nesh nga BE dhe SHBA, aktorë këta që kanë ndjeshmëri të madhe kundër pastrimit të parave.
Së fundmi ka boll arsye për ta konsideruar edhe vetë qëllimin e kësaj amnistie shumë të dyshimte dhe për të menduar se amnistia nuk do ketë efektin që pretendohet të ketë. Ekonomia jonë informale është de facto e formalizuar pasi paratë e pista qarkullojnë lirisht, investohen rregullisht dhe askush nuk shteti nuk është kujdesur që të shqyrtojë se nga ka ardhur burimi i këtyre parave që janë investuar këtu. Paratë e zeza janë prej kohësh pjesë thelbësore përbërëse e ekonomisë dhe kjo duket qartë nga fakti që këto para në mënyrë të qetë kanë ushqyer sektorë të ndryshëm të ekonomisë prej kohësh. Nga një anë vihet re lehtë rritje e lartë ekonomike, investime të shumta, konsum i madh mallrash luksoze, nga ana tjetër vihet re që kjo sasi e madhe kapitali që investohet nuk figuron të ketë patur ndonjë kontribut tek tatimi që është mbledhur për fitimin. Për më tepër vihet re gjithashtu që niveli i kredisë ka qenë relativisht i ulët, pra investimet e bëra sidomos në ndërtim, nuk kanë pasur si burim bankat por paratë e pista. Kjo do të thotë që edhe po të bëhet amnistia, nuk është se do ketë një bum investimesh, sepse investimet nuk i ka penguar burimi i pistë i parave. Një investitori shqiptar nuk ka çfarë ta dojë pastërtinë e parave, sepse në Shqipëri nuk pyet njeri për të. Jashtë shtetit po. Për pastërtinë e parasë pyesin kryesisht ata që duan të largojnë paratë nga Shqipëria ose që duan të investojnë jashtë vendit apo të hynë në partneritet ndërkombëtar. Ose mund të jenë edhe politikanët apo zyrtarët të interesuar sepse ata kuptohet që sduan t’i hedhin këtu paratë pasi bien lehtë në sy po investuan në Shqipëri dhe iu del në shesh korrupsioni. Kjo do të thotë që një amnisti jo vetëm që sdo të shtonte sasinë e likuiditetit që qarkullon në Shqipëri por madje rrezikon që të lehtësojë edhe largimin e likuiditetit nga vendi.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Reforma e arsimit të lartë dhe sistemi i kuponëve
By adri | Gusht 14, 2010
Reforma e arsimit të lartë dhe sistemi i kuponëve
botuar tek gazeta Shqip
Kohëve të fundit zgjerimi i numrit dhe fuqisë së universiteteve private është shoqëruar nga një nismë lobimi për të aplikuar në vendin tonë të sistemit të kuponëve (voucher) që nënkupton dhënien nga qeveria drejpërdrejt të një kuponi që përmban një shume të parapërcaktuar në dorën e një studenti për ta shpenzuar atë në institucionin e preferuar prej tij. Ky sistem i propozuar prej Milton Friedman synon të sjellë shumë dobi në fakt sepse shton mundësinë e zgjedhjeve, duke ia lënë në dorë studentit shkollën ku do të shkojë. Nxit diversifikimin e shkollimit dhe të fondeve që financojnë arsimin. Sistemi i kuponëve nxit konkurrencën duke rritur efikasitetin e sektorit publik i cili gjithashtu duhet të garojë për të bindur studentë që kuponët e qeverisë t’i harxhojnë në shkollën e tyre duke e transformuar në mënyrë radikale ofertën.
Në parim ky sistem duket goxha i vlefshëm mirëpo ka disa rrethana konkrete që e bëjnë të mendohet se aplikimi në Shqipëri është i papërshtatshëm. Pikësëpari duhet bërë e qartë që ky sistem kur është propozuar si fillim ka pasur kryesisht si qëllim arsimin para-universitar, e jo atë universitar sikurse po promovohet tani. Pra synimi kryesor ka qenë që të mirëadministrohen fonde që qeveria jep për shkollimin në nivelin fillor dhe të mesëm duke dashur që ta shkund sistemin publik dhe ta ballafaqojë me sektorin privat duke e detyruar të rrisë përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien dhe duke e nënshtruar ndaj konkurrencës së lirë. Duhet vënë në dukje se ka një dallim të jashtëzakonshëm mes arsimit para-universitar dhe atij universitar. Qeveria ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për individin deri në moshën 18 vjeçare. Më pas, kur i bie të jetë edhe mosha universitare, individi duhet të eci me këmbët e veta, është krejtësisht i përgjegjshëm para ligjit e për rrjedhojë moralisht për një liberal financimi i arsimit universitar në vetëvete nuk është edhe aq i pranueshëm. Domethënë për një liberal të vërtetë individi pasi bëhet 18 duhet ta mbajë vetë në kurriz koston e arsimit universitar meqënëse në atë moshë është bërë një individ i lirë dhe i pavarur që ka vetë në dorë fatin e jetës së tij.
Për këtë arsye sistemi i kuponëve nëpër botë është aplikuar kryesisht në sistemin e arsimit para-universitar. Përjashtim bëjnë ndonjë rast si shteti i Kolorados në SHBA ose ndonjë propozim i viteve të fundit për ta aplikuar edhe nëpër universitete në Australi apo Hong Kong. Madje në disa raste qëllimi kryesor i propozimit dhe aplikimit të sistemit të kuponëve nuk ka qenë thjesht futja e konkurrencës dhe rritja e efikasitetit të sektori publik, por edhe përpjekja për të eleminuar segregimin e minoriteteve racore. Kështu për shembull në ëashington DC apo territore të tjera ku është aplikuar sistemi, është synuar që prindërit të mund të merrnin prej qeverisë kuponët e shkollimit e ti çonin fëmijët në shkolla jashtë lagjes së tyre (duke përdorur sistemin e autobusave për shkolla) në mënyrë që ata të largoheshin nga kriminaliteti që pllakoste në shkollat e lagjeve të zezakëve dhe të mund të rriteshin në një ambjent shkollor më të shëndetshëm.
Në rastin e Shqipërisë nga një liberal i kulluar do të kërkohej që fillimisht sistemi i kuponëve të aplikohej tek arsimi para-universitar. Fundja e gjithë shoqëria paguan taksa por pothuaj të gjithë anëtarët e shoqërisë në një moment të jetës e kanë bërë apo do e bëjnë arsimin para-universtar kështu që duket edhe më e moralshme që shoqëria të paguajë për të subvencionuar arsimimin me instrumente të tregut sikurse ofron sistemi i kuponëve. Fundja një gjë e ngjashme është duke u aplikuar me sukses me subvencionime të teksteve shkollore duke bërë që subvencionimi të shkoj direkt tek përdoruesi dhe jo tek ofruesi i shërbimit apo produktit. Në rastin e arsimit universitar në përgjithësi tingëllon e pamoralshme nga prizmi liberal që shoqëria të paguajë taksa për më pak se 2% të studentëve që venë në shkolla të larta shqiptare.
është edhe një tjetër element që e bën të papërshtatshëm aplikimin e sistemit të kuponëve në Shqipëri e që ka të bëjë me frikën që mundësia e këtyre kuponëve do të sillte një inflacion akoma më të madh se ky ekzistuesi për të rendur pas diplomave universitare duke braktisur shkollat profesionale apo aktivitete tradicionale si bujqësia e blegtoria. Madje në kushtet e këtij masivizimi në kurriz të cilësisë që po haset në Shqipëri duhet menduar se si të shtohen filtrat e jo të inkurajohen qytetarët që të vendosin të shkojnë e ta shfrytëzojnë me zorr mundësinë që jep kuponi për të përmbytur shkollat e larta ndërkohë që në të tjera rrethana sdo të kishin shkuar në universitet. Për mos të folur pastaj për faktin që në kushtet aktuale sistemi i kuponit nuk do të ishte gjë tjetër përveçse një tjetër formë e sofistikuar për të rrjepur taksapaguesit. Që tani janë vënë re se shumë universitete private po i ofrojnë diplomat fiktive vetëm në këmbim të pagesës pa u kujdesur për rigorozitetine mësimdhënies dhe për përmbushjen e detyrimeve minimale të studentëve. Një pjesë e madhe e universiteteve e mban të hapur regjistrimin për programe bachelor apo mastera deri në pranverë të vitit akademik pa e vrarë mëndjen për mungesat nga programi për mos të folur pastaj për rastet e shumta ku lihen enkas vende bosh në regjistrat e amzës për të shitur diploma pa u bërë frekuentim shkollor për ata që ofrojnë pagesa të majme. Tregu shqiptar karakterizohet nga një përpjekje për të siguruar diplomën pa frekuentim e mundim dhe nëse ofrohet edhe mundësia që ky veprim të bëhet pa nxjerrë gjë nga xhepi, situata do të shndërrohet katastrofale. Në fakt ky është edhe një ndër burimet kryesore të shpërdorimit të ofertës universitare publike. Studentët e universiteteve publike nuk e kanë për gjë të ngelin dhe përsërisin pafundësisht provime dhe vite shkollore sepse nuk mbartin kosto për shpërdorimin që janë duke i bërë një shërbimi të mbuluar nga fondet e taksapaguesve.
Me pak fjalë sot shteti është i paaftë dhe i papërgatitur që të sigurojë që këto kuponë të taksapaguesve të shndërrohen në arsim të mirëfilltë dhe jo në një marrëveshje të ndyrë mes një pseudo-studenti që do veç të çertifikojë injorancën e vetë më një pseudo-diplomë shkollore dhe pronarëve pa integritet të universiteteve private. Kjo gjë ka ndodhur tashmë në mënyrë masive me subvencionimin e barnave shëndetësore sepse dihet mirë që dhjetra miliona euro të taksapaguesve vidhen prej farmacive nëpërmjet sistemit të kuponëve që në rastin e shëndetësisë quhen receta të siguruara nga shteti.
Zgjidhja liberale në arsimin e lartë shqiptar do të ishte me arsyeshme të vinte në një formë tjetër, në atë të kredive. Domethënë duke patur parasysh rëndësinë që ka cilësia e burimeve njerëzore për një vend si dhe duke e marrë të mirëqënë që qeveria duhet të shpenzojë për arsimin universitar, atëherë më e përshtatshme do të ishte që studentët e interesuar të merrnin kredi me interesa të ulta dhe të fillonin ti shlyenin këto kredi në mënyrë graduale pa shumë presion atëhere kur te fillonin të siguronin të ardhura të mjaftueshme sikurse ndodh dendur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që të rritej konkurrenca mes universiteteve publike dhe atyre private duhet që në universitetet publike studentët të detyrohen të bëjnë pagesa që mbulojnë sa më shumë koston e arsimimit të tyre dhe në këtë mënyrë universitetet private nuk do kenë një dizavantazh të madh konkurrimi për sa i përket çmimit në treg. Vendosja e sistemit të kredive të buta do të rrisë ndjeshëm edhe përgjegjësinë dhe përkushtimin e vetë studentëve të cilët do të maten shumë herë para se t’i futen universitetit publik duke patur parasysh që herët a vonë kanë për të paguar kosto të madhe. Gjithashtu kur ata të futen në universitete publike nuk kanë për t’u treguar moskokëçarës ndaj ngeljes nëpër provime apo zvarritjes pafund të studimeve sepse çdo shpërdorim rrit koston që do t’iu duhet të paguajnë.
Mbi të gjitha do të ishte e nevojshme që jo vetëm tregu shqiptar i arsimit të lartë të përfshihej nga konkurrenca e lirë intensive por edhe vetë tregu shqiptar të futej në konkurrencë në tregun botëror. Që do të thotë se do të ishte e domosdoshme që studentët që marrin subvencione apo kredi të kenë mundësinë të zgjedhin edhe universitete jashtë vendit. Sot universitetet shqiptare janë duke i ngjarë gjithnjë e më shumë njeri tjetrit dhe janë duke bërë një garë drejt fundit. Ato po përpiqen t’i tërheqin studentët nëpërmjet garës se kush e kush ofron një diplomë më të lehtë e me më pak mundime e jo duke garuar se kush ofron shkollimin më cilësor dhe rigoroz. Logjistikisht është tmerrësisht e vështirë që të krijohej një sistem kuponësh që të lejojë studentët të shpenzojnë kuponin jashtë vendit kështu që dhënia e kredive afatgjate më kushte të buta ngelet mënyra e vetme për të siguruar mobilitetin e studentëve shqiptarë dhe daljen nga pellgu i arsimit të lartë që po kalbet në Shqipëri.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Gjendja e brendshme dhe mania e njohjeve ndërkombëtare
By adri | Gusht 10, 2010
Gjendja e brendshme dhe mania e njohjeve ndërkombëtare
Botuar tek gazeta Shqip
Çdo ditë faqet e para të gazetave kosovare janë të përmbytura nga lajme për njohjen apo mosnjohjen e Kosovës nga shtete të ndryshme duke monopolizuar vëmendjen e gjithë opinionit publik. Çështja e njohjes së Kosovës është shndërruar në një fetish gjithëpërfshirës dhe në një subjekt të pashtershëm bisedash tavoline duke ushqyer iluzionin se gjithçka do të shkojë super vetëm nëse shteti futet në OKB. Kjo situatë po devijon vëmendjen nga zhvillime të tjera të brendshme që jo vetëm janë mbase më të rëndësishme për momentin se njohjet ndërkombëtare, por që shpesh janë njëherazi të lidhura drejtpërsëdrejti me vetë njohjet. Domethënë nuk mund të pretendohet që shtetet skeptike të binden prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ta pranojnë këtë pavarësi nëse nuk shohin se Kosova është bërë shtet funksional dhe i begatë. Sado që të jetë e aftë diplomacia amerikane dhe e Kosovës për të bërë “marketing, lobbying apo PR” për pavarësinë e Kosovës në nivel ndërkombëtar, prapëseprapë zhvillimet e brendshme janë vendimtare. Fundja po qe se një produkt nuk është i plotë dhe cilësor në vetvete ai vështire se do të shitet sado që t’ia “zbukurosh ambalazhin” me diplomaci. Në aspektin diplomatik Kosova ka aleat shtetin më të fuqishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare kështu që s’mund të pritet shumë nga ministria e jashtme kosovare. Asaj i takon më së paku mos të bëj gafa diplomatike si ato që janë vënë re. Pas GJND-së në fakt ka ardhur momenti që vëmendja e kosovarëve të përqendrohet tek prodhimi dhe përmirësimi i “produktit” e jo vetëm tek reklamimi i tij tek shtetet skeptike.
Në fakt duhet të bëhet njëherë e mirë e qartë në Kosovë se pa u ndryshuar gjërat në terren dhe pa u vënë shtetet skeptike para një fakti të kryer dhe të pakthyeshëm të një shteti funksional e solid kosovar , vështirë se do të bëhet e mundur njohja unanime e pavarësisë. Vetëm në këtë mënyrë do mund të bindeshin shtete si Rusia e Kina që janë anëtare permanente me të drejtë vetoje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku edhe duhet të filtrohet aplikimi i Kosovës për anëtarësi. Kosova sot duhet të përgatitet që procesi i anëtarësimit në OKB mund të jetë afatgjatë dhe nuk duhet të shkëpusë vëmendjen nga të tjera prioritete të shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës. Tajvani është një rast interesant që tregon se një shtet mund të jetë i sigurt dhe të begatojë edhe pa u njohur zyrtarisht prej shumicës së botës dhe pa qenë pjesë e OKB-së. Vetëm 23 shtete e njohin Tajvanin (nën emrin Republika e Kinës) dhe kjo nuk e pengon këtë vend të jetë ndër më të përparuarit në botë dhe me mirëqenie shembullore. Përpos kësaj pasaporta tajvaneze njihet de facto pothuaj kudo në botë dhe mbi 90 shtete e territore (që do të thotë se vetëm 33 shtete të tjera lëvizin lirshëm në më shumë shtete se Tajvani) i pranojnë banorët e Tajvanit pa vizë ose me vizë të lëshuar në kufi. Nga ana tjetër ka shtete të dështuara si Somalia që janë të njohura formalisht në nivel ndërkombëtar por që ngelen të shkatërruara.
Për të treguar rëndësinë që ka ndryshimi i situatës në terren mjafton të hidhet një sy në vendet e Ballkanit gjatë historisë bashkohore. Para 15 vitesh as që mund të mendohej që Beogradi të pranonte marrëdhënie me Kroacinë ndërkohë që para pak javësh Beogradi i bëri një pritje madhështore presidentit kroat duke kthyer prapa dhe gëlltitur gjithë vrerin e hedhur dikur ndaj kroatëve dhe pavarësisë së tyre. Kjo ndodhte jo sepse serbëve befas iu kthye dashuria për kroatët, por sepse vetë Kroacia jo vetëm është realitet pa kthim mbrapa por është në pararojë të proceseve integruese në rajon e së shpejti vetë Serbia do ia ketë nevojën. Nga ana tjetër rasti boshnjak tregon se ndryshimi i situatës në terren nuk çon vetëm në progres por edhe në regres. Pranimi nga OKB-ja i Bosnje Hercegovinës nuk qe një garanci për mirëqenien e popullsisë dhe nuk i dekurajoi serbët nga planet ogurzeza. Edhe pse komuniteti ndërkombëtar e njohu zyrtarisht Bosnjën me në krye Izetbegoviçin dhe Silajxhiçin që në 1992, u detyrua që në dimër të vitit 1995 të transformonte qëndrimin e vetë si pasojë e zhvillimeve në terren dhe akomodonte një tjetër realitet boshnjak. Në vend të Bosnje Hercegovinës monolite dhe unitare të njohur formalisht në pranverë të vitit 1992, prej marrëveshjes së Dejtonit ne kemi një shtet jofunksional të fragmentuar në katër njësi qeverisëse dhe nën protektoratin e pashmangshëm ndërkombëtar.
Prandaj vëmendja dhe energjia në Kosovë duhet të drejtohet për nga konsolidimi i institucioneve ligjore dhe zhvillimi i demokracisë, lirisë dhe ekonomisë e jo tek procesi i zvarritur i njohjeve. Përqendrimi i vëmendjes tërësisht tek ky proces e lënia pas dore të gjendjes së brendshme i shërben vetëm papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së qeveritarëve. Publiku duhet të përdori si kut matës të dobisë dhe efikasitetit të elitës politike kosovare zhvillimet e brendshme sepse aty mund të jepet kontributi maksimal për afirmimin e pavarësisë së Kosovës.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Shteti i fushatave
By adri | Korrik 31, 2010
Shteti i fushatave
botuar tek gazeta Shqip
Ditëve të fundit qeveria ka njoftuar për ndryshimin e kodit rrugor që do ketë si qëllim rritjen drastike të nivelit të gjobave për kundravajtjet. Duket qartë që kjo masë është motivuar nga aksidenti tragjik që ndodhi në Pukë si dhe nga numri i madh i aksidenteve vdekjeprurëse që ndodhin gjatë verës së ngarkuar që të lënë të mendohet për një bilanc lufte. Në parim është pozitiv fakti që ndodh ky reagim dhe nuk deshmohet indiferentizëm ndaj kësaj situate. Mirëpo nga ana tjetër fakti që shteti mobilizohet seriozisht vetëm në situata dramatike dhe bëhet i dukshëm vetëm me fushata të lë një shije të hidhur dhe të krijon përshtypjen e një shteti tmerrësisht disfunksional.
Prania e aksidenteve të rënda në Shqipëri nuk është më rastësi por rregulli, ka marrë formën e një epidemie të mirëfilltë. Burimi i këtyre aksidenteve nuk mund t’i atribuohet më cilësisë së rrugëve sepse ato janë përmirësuar ndjeshëm gjatë këtyre viteve të fundit, por duhet kërkuar tjetërkund. Ideja e vendosjes së dënimeve më të rënda megjithatë duket e paarsyeshme duke patur parasysh që problemi kryesor nuk është tek pesha e dënimit, por tek fakti që një pjesë e mirë e kundravajtësve nuk dënohen fare. Pra nuk është problem kodi rrugor aktual në vetëvete, por problemi kryesor është mosvënia në jetë në mnëyre rigoroze e tij. Pse duhet të ndryshohet ky kod me një tjetër kur ky kod nuk është vënë në funksion të plotë e nuk është testuar në mënyrë të rreptë në terren. Të jesh polic trafiku për mendimin tim është një ndër punët më të palakmueshme duke patur parasysh presionin e madh që ushtrohet kur je në detyrë. Nëpër rrugët e Shqipërisë është më se e zakonshme të shikohen kundravajtës të cilët e sfidojnë shtetin duke debatuar me policët, duke iu bërë presion apo duke i kërcënuar me telefonin në dorë se do përdorin lidhjet e tyre si hakmarrje për gjobat. Po ashtu vihet re dendur që makinat e mira luksoze nuk para ndalohen fare nga policët kur ecin si të çartura nëpër rrugë sepse policët hamendësojnë se këta persona kanë mbështetje, lidhje e pushtet për të marrë hak në mënyrë personale për gjobat e vëna. Për mos të folur pastaj për makina zyrtare apo makina që kanë stampa të dukshme të mediave që janë krejt imune dhe të papërgjegjshme për mënyrën si ecin në trafik. Zakonisht ndalohen makina më modeste gjë që tregon se dora e ligjit është selektive, funksionon me census pasurie dhe zakonisht bie mbi më të brishtët dhe të pambrojturit. Për mos të folur më pas për nivelin e lartë të korrupsionit dhe faktit që shumë shoferë kundravajtës do kenë më shumë motiv për të paguar nën dorë një ryshfet të vogël sesa të paguajnë një gjobë të rëndë e t’iu futen procedurave të komplikuara.
Zgjedhja e rëndimit të gjobave si zgjidhje për situatën e rënduar nuk ka të bëjë vetëm me faktin që gjobat më të rënda nuk e zgjidhin çështjen e mungesës së integritetit të policisë rrugore por nxjerr në pah edhe problemin konceptual me të cilin trajtohet kjo situatë. Policia rrugore duhet të ketë si synim që të përmirësojë trafikun dhe sigurinë në rrugë dhe jo të sillet si inkuizitore e të orvatet të zërë sa më shumë në faj siç ndodh tani. Policët rrugorë sot fshihen me radarët si grepa peshkatarësh për të zënë në befasi ata që ecin shpejtë ndërkohë që duke qendruar të palëvizur nëpër skuta e kanë të pamundur ta mbikqyrin trafikun në dinamikë përgjatë gjithë rrugës dhe e kanë të pamundur që të merren me kundravajtje të tjera edhe më të rrezikshme që bëhen në rrugë e që s’lidhen detyrimisht me kalimin e shpejtësisë së lejuar.
Përderisa duket qartazi që një ndër problemet që del është faktori human në policinë rrugore, konkretisht mungesa e përkushtimit dhe rigorozitetit të policëve rrugorë, atëhere do të ishte e nevojshme një përqasje më gjithëpërfshirëse dhe e mirëmenduar. Për shembull mund të investohej për automatizimin e procesit të mbikqyrjes duke vendosur kamera e radarë të teknologjisë së lartë në zona delikate e kryqëzime në mënyrë që monitorimi të bëhet në distancë e të shmanget në maksimum ballafaqimi i policit me drejtuesin e automjetit. Në këtë mënyrë gjoba dërgohet me postë, shkelja e rregullave do ishte më lehtë e provueshme dhe do shmangej arbitrariteti, korrupsioni dhe konfrontimi në terren.
Gjithësesi çështja nuk ka ta bëjë vetëm me aksidentet rrugore dhe kjo përqasje nuk është e izoluar vetëm tek ky rast. Ajo që është shqetësuese është se kjo praktikë e trajtimit të problemeve vetëm me fushata është bërë modus operandi i shtetit tonë. Sa herë që bëhet i skajshëm e acarues një problem zgjidhja shikohet tek ndërtimi i strukturave të reja, duke zmadhuar shtetin dhe prerogativat e tij si dhe duke u përqëndruar tek ballafaqimi i simptomave e jo tek kurimi i mirëfilltë i patologjisë. Administrimi i shtetit me fushata duket qartë që bëhet për imazh, si një përpjekje për të treguar përgjegjshmëri sidomos në rastet kur ndodhin fatkeqësis të bujshme. është bërë traditë në Shqipëri të flitet për fushatë për të kontrolluar karburantet, fushatë për të kontrilluar standardet higjeno-sanitare të ushqimeve, fushatë për fushatë pastrimi, fushatë me arrestime për të korruptuarit në shëndetësi e arsim, fushatë për prerjen e bimëve narkotike, fushatë për prishjen e ndërtimeve abuzime nëpër kolektorë e sistemin e irrigimit pas pësimit të përmbytjes, fushatë kundër makinave të vjedhura, fushatë prishjesh të ndërtimeve pa leje etj. Këto në fakt duhet të ishin veprimtaritë permanente e mekanike të shtetit në mënyrë non stop e jo thjesht për raste të rralla. Këto aktivitete duhet të ishin rregulli e jo përjashtimi që bëhet në periudhë fushate. Në këtë mënyrë shteti shqiptar sikur thotë që ndonjëherë edhe punohet, apo mes të tjerave shteti merret edhe me përmbushjen e detyrës dhe ofrimin e shërbimeve që i takon të sigurojë. Kjo do të thotë që shteti ynë funksionon si zjarrëfiksit, të cilët vihen në veprim sa herë bie zjarri. Shpesh madje kur nuk e fikin dot zjarrin thjesht ndërmarrin fushata “tymuese për ta fshehur atë”. Kjo mënyrë e të menaxhuarit të shtetit të kujton mënyre sesi Perandoria Osmane bënte administrimin e territoreve të largëta si Shqipëria në periudhën e dekadencës e cila ishte e paaftë të parandalonte shumë probleme apo ti administronte ato dita ditës por organizonte fushata ndëshkimore sa herë që situata mahisej në mënyrë të skajshme e bëhej baltë. Asokohe e mbytur në probleme të mëdha të brendshme dhe të jashtme shteti otoman ishte i paaftë të ishte i pranishëm në mënyrë të përditshme në periferi të territorit mirëpo shfaqej hera herës me fushata ndëshkuese sapo problemet bëheshin shumë të bujshme dhe flagrante apo situata dilte tërësisht jashtë kontrollit.
Pra problemi nuk është në vetëvete thjesht tek rritja e gjobave të shkeljeve rrugore në këtë periudhë problematike por tek fakti që kjo përqasje e gabuar e mënyrës si duhet të funksionojë shteti është vetëm një tjetër rast shtesë në listën e gjatë të rasteve që demonstrojnë se shtetin ynë është shtet fushatash. Administrimi i shtetit me fushata e jo me punë të përditshme rigoroze dëshmon për një krizë të mirëfilltë brenda sektorit publik, tregon se mungojnë sistemet e brendshme të monitorimit dhe vlerësimit të veprimtarisë së strukturave shtetërore, se nuk ka tregues matës që të pasqyrojnë rezultatet por thjesht synohet rritja e perceptimit publikë se po punohet duke përdorur fushata. Kjo situatë lë të kuptohet se shteti nuk përdor politika të bazuara tek analiza e performancës e nuk aplikon një karrierë të zyrtarëve të vetë të mbështetur tek merita e suksesi e jo tek përkushtimi partiak dhe lidhjet nepotike. Aplikimi i sistemit të shtetit të fushatave tregon qartë politizimin e administratës dhe kuadrove të cilët ndihen të përkohshëm dhe thjesht përpiqen të shmangin “zjarrin e radhës” duke e pasur vëmendjen kryesisht tek zhvatja e jo tek konsolidimi e institucioneve dhe procedurave në mënyrë permanente dhe tek masat parandaluese.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Kritikë ndaj kritikëve të pandershëm të neoliberalizmit
By adri | Korrik 11, 2010
Kritikë ndaj kritikëve të pandershëm të neoliberalizmit
botuar tek gazeta Shqip
www.adrinurellari.com
Edhe pse kanë kaluar dy dekada prej rënies së regjimit komunist dhe kemi kombin më të ri në Europë, mentaliteti marksist dhe shabllonet që e karakterizojnë vazhdojnë të kultivohen masivisht dhe bindshëm në ligjërimin publik shqiptar. Një ndër format më tipike me të cilën shfaqen haptazi rudimentet marksiste, është interpretimi i shtrembër që i bëhet liberalizmit klasik ose neoliberalizmit në ligjërimin tonë, duke përdorur dendur klishetë e kohës së regjimit komunist. Konkretisht, Kapitali i Marksit e interpretonte liberalizmin si një përpjekje të klasës borgjeze për të legjitimuar pozicionin e vet sipëror dhe shfrytëzues nëpërmjet kësaj ideologjie. Ende sot dominon ky interpretim i veprës së Adam Smithit, nëpërmjet filtrave të Karl Marksit nga shumë individë publikë, të cilët ende s’e kanë marrë mundimin ta lexojnë drejtpërdrejt Smithin.
Në fakt Smithi nuk nxjerr argumente në favor të interesave të sipërmarrësve borgjezë apo aristokratëve të fuqishëm, por flet për një sistem të mbështetur te liria që më së shumti do ndihmonte të varfrit. Sipas tij, ekonomia e udhëhequr prej dorës së padukshme të tregut, do të bënte të njëjtën shpërndarje të produkteve të nevojshme për jetën, që do të ishin bërë sikur bota të ishte e ndarë në porcione të barabarta mes banorëve, dhe në këtë mënyrë, pa e pasur synim, pa e ditur, avancon interesat e gjithë shoqërisë. Nëse këta njerëz do kishin mirësinë dhe ndershmërinë intelektuale t’i lexonin vetë drejtpërdrejt veprat kryesore liberale, e mos të mjaftoheshin me keqinterpretimet apo copëzat e nxjerra jashtë kontekstit të komentuesve subjektivë të këtyre veprave, do të zbulonin se liberalët kanë të shenjtë vetëm lirinë dhe biznesi konsiderohet armiku numër një i lirisë pas shtetit. Lidhur me shtetin dhe biznesin, marrëdhënia e liberalëve është delikate dhe ambivalente. Liberalët janë miniarkistë, pra janë në favor të një qeverisjeje të vogël e të domosdoshme, ama janë kundër një shteti të madh dhe intruziv. E njëjta gjë vlen lidhur me bizneset, sipërmarrësit janë të domosdoshëm në ekonomi, ama ata duke ndjekur interesin e ngushtë të tyre kanë një prirje tipike për të kufizuar konkurrencën dhe imponuar monopole, mundësisht duke u marrë vesh me shtetin. Në këtë rast ata shndërrohen në armiq të lirisë e prandaj garantimi i lirisë ekonomike dhe konkurrencës ngelet objektivi kryesor i ithtarëve të ekonomisë së tregut.
Socialistëve, duke qenë se konsiderohen si përfaqësues politikë të interesave të klasës proletare, u nevojitet që të kenë një antipod për të motivuar luftën e klasave, duke ia përshtatur strukturës së tyre materialiste të të menduarit. Pra, me logjikën e tyre, përderisa socialistët pretendojnë se përfaqësojnë të varfrit, të tjerët, armiqtë, duhet të përfaqësojnë të pasurit. Për ta vlen vetëm përqasja dikotomike, keq-mirë, bardhë-zi, me të varfrit apo me të pasurit. Për marksistët ose neomarksistët është i pakonceptueshëm pluralizmi dhe fakti që liberalizmi si ideologji është për barazi para ligjit, për mundësi gare për të gjitha segmentet e shoqërisë dhe ç’është më e rëndësishme, është e vetmja ideologji që kombinon efikasitetin me moralin.
Në fakt, Adam Smith ka qenë profesor i filozofisë së moralit në universitetin e Gllasgout, dhe fill para se të shkruante “Pasurinë e Kombeve”, që njihet si libri që themeloi shkencën e ekonomisë, kishte shkruar librin “Teoria e Ndjenjave Morale” (“Theory of Moral Sentiments”). Ai doli në konkluzionin se tregu, ekonomia e bazuar në tregun e lirë, është më e ndershmja dhe njëherazi më efikasja, jo duke pasur synim gjetjen e një justifikimi për interesat e biznesmenëve, por duke synuar të gjente një sistem që përmbushte standardet më të larta morale. Për rrjedhojë, ata që shkruajnë e pretendojnë se neoliberalët, apo liberalët klasikë, kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të ngushta të biznesmenëve në kurriz të konkurrencës së lirë, janë në rastin më të mirë naivë e injorantë dhe në rastin më të keq dashakeqë e manipulatorë.
Prandaj është e pandershme që ekonomia në Shqipëri dhe Kosovë të përshkruhet si liberale klasike apo neoliberale. Mund të quhet oligarkike, plutokratike, monopoliste, oligopoliste, kleptokratike, kaotike etj., por kurrsesi liberale. Mjafton të përmenden disa tipare bazike të situatës ekonomike në Kosovë e Shqipëri dhe të krahasohen me parimet thelbësore liberale, për të treguar sa larg të qenit liberale janë ekonomitë e dy shteteve shqiptare. Së pari, njëherë mjafton të shikohet përmasa e sektorit publik dhe roli vendimtar që luan shteti në ekonomi, për të thënë se aktori kryesor ekonomik është shteti e jo sektori privat. Shteti jo vetëm ndërhyn në mënyrë flagrante dhe deformuese në treg, por është njëherazi punëdhënësi kryesor dhe konsumatori kryesor i ekonomisë, duke bërë që ekonomia të jetë peng e politikës dhe jo e konkurrencës. Po ashtu është e vërtetë që privatizimi rekomandohet nga liberalët, me qëllim që ekonomia t’i nënshtrohet mekanizmit të ofertë-kërkesës, mirëpo procesi i privatizimit që është aplikuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, është shumë larg të qenit liberale. Kjo pasi privatizimi nuk është bërë në kushtet e konkurrencës së lirë, duke pasur qëllim rritjen e efikasitetit të ekonomisë, por ka qenë një formë shpërblimi ndaj aktorëve politikë ose satelitëve të tyre. Madje në disa raste privatizimi thjesht ka bërë që monopoli publik të zëvendësohet nga një monopol privat, që është edhe më i keq se ai shtetëror. Kjo pasi publiku ndaj kompanisë monopol publike ka njëfarë ndikimi nëpërmjet votës, kurse ndaj atij privat është krejt i çarmatosur. Prandaj, nëse për rezultatet e tanishme të ekonomisë i vihet faji privatizimit në vetvete, e jo mënyrës dashakeqe me të cilën është bërë privatizimi, është njësoj sikur të shajmë thikën e bukës meqenëse dikush e përdor për të vrarë e jo në kuzhinë.
Dimensioni oligarkik duket akoma më qartë nga fakti që ekonomia dominohet nga një grusht aktorësh, të cilët kanë pozita të privilegjuara e të garantuara nga lidhja që ata kanë me politikën, duke imponuar çmimet dhe cilësinë që atyre iu konvenon dhe duke vjelë pjesën më të madhe të fitimeve nga ekonomia. Në Kosovë, më pak se 10 biznesmenë zotërojnë shumicën dërrmuese të ekonomisë dhe nuk e kanë për gjë ta mbytin tregun kosovar me mallra të importuar nga Serbia, duke ia zënë frymën prodhimit vendas dhe konkurrencës së mallrave me origjinë tjetër. Pak javë më parë opozita dëshmoi publikisht se në Shqipëri rreth 60 kompani me lidhje apo mbështetje politike qarkullojnë mbi 4 miliardë euro në vit, duke dëshmuar qartë që ekonomia e Shqipërisë është oligopoliste. Përpos kësaj, mjafton të shikohet arena politike dhe fakti që ajo është e dominuar nga i njëjti numër i vogël politikanësh të shumëfuqishëm, për të kuptuar që oligarkia politike ka shkaktuar oligopolet ekonomike.
Janë të panumërta elementet që demonstrojnë se ekonomia shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë është infektuar keq nga elitat politike të korruptuara që kanë futur duart thellë në ekonomi. Analiza e situatës aktuale dëshmon që ne si komb nuk jemi duke ndjekur një model kapitalist neoliberal, por jemi duke adoptuar gjithnjë e më shumë tiparet e ekonomive oligarkike të Amerikës Latine. Prandaj para se socialistët të bërtasin që liberalizmi ka dështuar në Shqipëri dhe Kosovë, iu duhet që fillimisht të provojnë nëse liberalizmi ekonomik është aplikuar ndonjëherë te ne. Përderisa të gjitha tiparet tregojnë se kjo gjë është e paprovueshme, kritikët e neoliberalizmit duhet që ta përmbajnë marazin e tyre të brendshëm ideologjik dhe urrejtjen individuale që kanë ndaj tregut, ta shfryjnë në nivel filozofik e teorik, apo duke marrë shembuj të tjerë, sepse ekonomia e Kosovës dhe Shqipërisë gjithçka mund të jetë, përveçse ekonomi e tregut të lirë.
Topics: Uncategorized | No Comments »
A vepron kështu një opozitë dinjitoze?
By adri | Korrik 2, 2010
A vepron kështu një opozitë dinjitoze?
Botuar tek gazeta Shqip
Javës së kaluar gjykata kushtetuese e diskreditoi Kodin Zgjedhor duke shpallur se nene të ndryshme të kodit shkelnin kushtetutën. Në këtë vendim të marrë të bërë pas padisë të paraqitur u shfuqizuan nenet 68 dhe 71 të kodit sepse shkonin ndesh me nenet 17 dhe 18 të Kushtetutës duke cënuar barazinë para ligjit dhe duke diskriminuar në mënyrë të qartë partitë e reja ose ato të vogla. Ky vendim njollos jo vetëm shumicën por e ngarkon me faj edhe Partinë Socialiste që ishte nismëtare duke ngritur pikëpyetjen nëse është apo jo kjo opozita më e mirë për popullin tonë.
Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pas një ankimimi të Partisë së Bashkimit Popullor të Pensionistëve Shqiptarë e cila e konsideronte diskriminues nenin nr.71 të Kodit zgjedhor, i cili e kufizon hyrjen e kësaj partie në garën elektorale, për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar deklaratat noteriale të 15 mijë mbështetësve të saj. Sipas saj, për krijimin e një partie politike kërkohen 300 firma që ajo të regjistrohet në gjykatë, ndërsa për të hyrë në garën elektorale, ajo duhet të paraqesë 15 mijë firma të noterizuara, vlera e të cilave arrin shifrën e 150 milionë lekësh të vjetër. Ky vendim e dëshmoi qartë frymën antikushtetuese që përshkonte të gjithë kodin. Edhe nenet 162 dhe 163 të këtij kodi e cënojnë qartazi parimin e barazie dhe padyshim nëse një parti do ti kishte çuar këto nene në Gjykatën Kushtetuese, do të ishte arritur i njëjti rezultat.
Tanimë është e provuar se sistemi i ri zgjedhor i vendosur dhe kodi zgjedhor dëmtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë partitë e treta ekzistuese ose që mund të dalin në të ardhmen, të cilat nuk bëhen aleate në koalicionet kryesore duke garanton supremacinë e dy partive politike kryesore shqiptare dhe satelitëve të tyre dhe duke eliminuar disidencën dhe pluralizmin.
Në këtë kod në mënyrë të vetëdijshme janë nëpërkëmbur të drejtat e individit dhe partive të vogla të pavarura në favor të partive të mëdha dhe satelitëve të tyre ndërkohë që konstitucionalizmi në vetvete nënkupton sigurimin e të drejtave të individit dhe pakicave ndërkohë e jo të më të mëdhenjve apo të më të pushtetshmëve.
Sikurse e tregoi edhe vendimi i gjykatës kushtetuese, nëpërmjet këtij sistemi zgjedhor partitë e reja, të sapodala ose në potencial për t’u krijuar ballafaqohen me një kosto jashtëzakonisht të lartë për të hyrë në lojë elektorale duke i lënë dy partitë kryesore pa rivale dhe duke e çimentuar oligarkinë duopoliste shqiptare. Mirëpo kjo gjë dëmton në mënyrë të skajshme edhe frymën e debatit dhe diversitetin brenda partive duke i shndërruar liderët në tiranë. Kjo pasi nga njëra anë gara bëhej vetëm me siglën e partisë duke i nxjerrë personalitetet dhe individët e shquar jashtë loje dhe nga ana tjetër grupime të të pakënaqurve ose të mendimeve alternative të dy partive pasi ato nuk mund ta kërcënojnë lidershipin me skizmë. Nëse ata do të largoheshin nga partia dhe do të shkëputnin një copë të partisë do e kishin të vështirë që të futeshin në parlament me sistemin dhe kodin zgjedhor që kemi .
Deri tani lideri i opozitës ka shmangur komentimin e reformës zgjedhore duke lënë të kuptohet se s’ka ndonjë lidhje midis sistemit dhe cilësisë së zgjedhjeve dhe duke dëshmuar se ai nuk ka kurrfarë brerje ndërgjegje apo pishmanllëk nga kjo reformë edhe pse kalbësinë e reformës tanimë e ka certifikuar edhe gjykata kushtetuese. Kjo dëshmon se atij i leverdis një sistem zgjedhor ku eliminohen partitë rivale opozitare ekzistuese ose potenciale, ku i qepet goja disidencës së brendshme të partisë, ku përjetësohet fuqia e dy partive-shtet dhe qytetarët të katandisen në një situatë ku iu ngelet të zgjedhin vetëm midis Skilës dhe Karibdit. Pra jo për pluralizëm, por për duopolizëm, vetëm një hap larg monizmit. Ky qëllim i liderit të opozitës u konfirmua edhe gjatë fushatës e cila u bë pa program apo platformë zgjedhore alternative por thjesht nihiliste duke nxirë qeverinë e duke u përkthyer në sytë e publikut si “na votoni ne se këta janë të këqij” pa dhënë ndonjë shpjegim pse opozita është më e mirë. Pothuaj gjysma e qytetarëve me të drejtë vote e gjendur para kësaj alternative, preferoi të mos votonte fare dhe lideri i opozitës mban përgjegjësi historike se përse nuk arriti që të kapitalizonte pakënaqësinë e madhe që është ndërtuar kundër qeverisë ekzistuese.
Së pari njëherë ky sistem i ri zgjedhor, përveçse është i pandershëm dhe u votua në mënyrë të turpshme, është drejtpërdrejtë një ndër shkaktarët kryesor të krizës aktuale politike e cila lidhet me kontestimin e zgjedhjeve. Mund të parashikohej lehtë që proporcionali rajonal dhe kodi i posaçëm që e shoqëroi do të sillte një rezultat zgjedhor shumë delikat, ku dy partitë do dilnin kokë më kokë dhe fitimtari do të kishte një avantazh shumë të zbehtë përkundrejt kundërshtarit. Kuzhinierët e reformës e dinin këtë gjë prandaj eliminuan mocionin e mosbesimit në këmbim të mocionit të zëvendësimit duke bërë që një kryeministër të mund të qeveriste edhe me një shumicë të brishtë prej 71 deputetësh. Po ashtu dihej që vështirë se Shqipëria mund të sigurojë sot proces zgjedhor të përsosur kështu që parregullsitë e identifikuara kombinuar me diferencën minimale mes partive do t’i jepnin shkas secilit humbës për të pretenduar se parregullsitë kanë përmbysur rezultatin. Pra për sa kohë të kemi këtë sistem elektoral do kemi një diferencë shumë të zbehtë mes dy partive kryesore dhe për rrjedhojë do të ketë boll arsye për të mos njohur procesin zgjedhor në tërësi duke pretenduar se rezultati final është ndryshuar si pasojë e parregullsive. Po të kishim pasur sistemin e mëparshëm zgjedhor shpërndarja e mandateve do ishte bërë ndryshe dhe tanimë ne do të kishim një rezultat të qartë me një diferencë të theksuar midis fitimtarit dhe humbësit dhe nuk do kishim një parlament disfunksional që kemi parë vitit të kaluar.
Së dyti kodi cënon një ndër tre kriteret kryesore të Kopenhageni që duhen përmbushur për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, atë të sundimit të ligjit. Kjo pasi administrimi i zgjedhjeve është lënë në dorë të forcës së militantëve, e jo në garancinë e shtetit ligjor. Administrimi prej palëve të interesuara për të vjedhur në mënyrë të pashmangshme solli parregullsi dhe tension të rrezikshëm sikurse u pa në Fier. Pra për sa kohë menaxhimi i zgjedhjeve u la sërish në dorë të militantëve partive, nuk kishte sesi mos të pritej që këta militantë të fusnin duart dhe të shtrembëronin procesin zgjedhor sikurse kishin bërë vazhdimisht. Pra këto parregullsi ishin të parashikueshme dhe do të qenë të evitueshme nëse reforma zgjedhore do të ishte bërë në mënyrë të ndershme.
Së treti sistemi zgjedhor është shkaktar i tërthortë i krizës dhe dështimit të gjithë opozitës sepse ia arriti qëllimit malinj të shkatërrimit të LSI-së duke eliminuar shpresën që PS të përdorte mandatet e Metës si gomone shpëtimi në një kohë të dytë. Po ashtu konsolidoi partinë në pushtet dhe shkatërroi njëherë e mirë çdo lloj mundësie për të ndërtuar një parti alternative të djathtë duke i kushtëzuar votuesit e djathtë ose që të votonin për PD-në ose që të abstenonin.
Por elementi më indinjues në këtë situatë nuk është thjesht as lidhja e sistemit zgjedhor me krizën dhe as fakti që mazhoranca ka miratuar një sistem dhe kod zgjedhor që cënon kushtetutën dhe shkakton oligarkinë. Fatkeqësisht tanimë në Shqipëri është bërë traditë shkelja e kushtetutës nga mazhoranca me kësilloj nismash e reformash dhe revoltimi ka rënë vetëm në vesh të shurdhër. Elementi më indinjues është fakti që kjo reformë zgjedhore antikushtetuese ka pasur si arkitekt e nismëtare në fakt liderin e opozitës. Normalisht qortimi i opozitës mund të tingëllojë si një servilizëm ndaj shumicës por në rastin e reformës antikushtetuese zgjedhore opozita është bashkëfajtore e plotë dhe meriton të denoncohet për qëllimet e mbrapshta anti-kushtetuese, anti-demokratike dhe anti-pluraliste që ka pasur kur ka propozuar e mandej miratuar këtë kod zgjedhor.
Topics: Uncategorized | No Comments »
Papërgjegjshmëria e skajshme e lidershipit politik shqiptar
By adri | Qershor 25, 2010
Papërgjegjshmëria e skajshme e lidershipit politik shqiptar
botuar tek gazeta Shqip
Roli i lidershipit është vendimtar në zhvillimin e një kombi mirëpo fatkeqësisht realiteti politik mbarëshqiptar në këto momente po dëshmon një krizë të jashtëzakonshme të lidershipit pasi elita politike po manifeston një papërgjegjshmëri të skajshme. Mungesa e kurajës së lidershipit politik për të qenë në lartësi të detyrës duke dhënë llogari dhe marrë përgjegjësi për pasojat e shkaktuara prej veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni lë të mendohet se papërgjegjshmëria qenka një sëmundje kombëtare.
Elementi kryesor ilustrues i kësaj papërgjegjshmërie është pikërisht lehtësia me të cilën interesat personale meskine vihen përpara interesave kombëtare. Së fundmi u pa qartë që lidershipi i opozitës në Tiranë e ka pas varur shpresën për realizimin e qëllimeve të veta politike tek kërcënimi me shkaktimin e frenimit të liberalizimit të vizave dhe të integrimit në BE, Fatmirësisht rezoluta e BE-së nuk e penalizoi Shqipërinë për paaftësinë e politikanëve shqiptarë për të zgjidhur punët në mënyrë institucionale. Kjo papërgjegjshmëri kalon caqet e arsyes atëherë kur ndizet lufta e gjelave mes rivalëve politik dhe garohet kush e nxin më tepër realitetin e për rrjedhojë edhe vendin. është qesharake të mendohet se imazhi i vendit tonë ka për t’u përmirësuar me anë të reklamave të transmetuara në CNN kur lideri i opozitës e quan kryeministrin Ahmedin Nexhad ose çavez e nga ana tjetër kreu i ekzekutivit e konsideron kryeopozitarin si drejtuesin e mafies më të rrezikshme në Evropë.
Fatkeqësisht po vihet re e njëjta papërgjegjshmëri edhe në Maqedoni ku liderët politikë i mbajnë partitë si me tapi e sjapin dorëheqjen kur humbasin zgjedhjet. Madje edhe në situatën e tanishme të poshtërimit të lartë të shqiptarëve sguxojnë ta braktisin koalicionin me Gruevskin sepse e dinë që pala tjetër ka për të rendur t’i zërë vendin pa pyetur për gjendjen kritike të shqiptarëve.
Megjithatë situata më tragjike po ndodh në Kosovë ku personaliteti më i lartë i shtetit, presidenti Fatmir Sejdiu, edhe pse si kryetar i shtetit që është i takon të jetë garant i kushtetutës në fakt është i pari që e shkel duke mos u tërhequr nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Së fundmi një grup deputetësh po e çojnë këtë çështje ne Gjykatën Kushtetuese të Kosovës duke e konsiderar te papërputhshme mbajtjen nga presidenti te postit të kryetarit te partisë te dytë më të rëndësishme në vend. Por kulmi i papërgjegjshmërisë është padyshim mosdhënia e dorëheqjes prej ministrit të transportit, z Limaj, pas akuzave të rënda për abuzim me postin të bëra drejtpërdrejt ndaj tij prej prokurorëve të EULEX-it. Kërkesa për dorëheqjen është bërë edhe nga përfaqësuesit politik ndërkombëtarë në Kosovë mirëpo jo vetëm që ska dorëheqje por nxitet një frymë antindërkombëtarëve në Kosovë dhe e vetmja mbrojtje që ofrohet është se veprimtaria e ministrisë së transportit nuk dallon nga ajo e ministrive të tjera. Duke bërë në këtë mënyrë një lloj shantazhi sepse nënkuptohet që në këtë lojë merren të gjithë me vete, diskreditohet i gjithë shteti dhe vihen në pikëpyetje të gjithë pushtetarët e tjerë të lartë dhe legjitimiteti i qeverisjes. Jo më pak i ulët është rasti i dy ish ministrave shqiptarë të transportit dhe mbrojtjes të cilët ngelen në pushtet si ministra edhe pse një vit më parë kanë qenë të hetuar dhe akuzuar për shkelje me përmasa të krahasueshme vetëm me republikat afrikane të bananeve e jo me Evropën, respektivisht për qindra milionë euro të vjedhura dhe 26 qytetarë të vrarë.
Dorëheqja e stilit të Nixonit në rast akuzash të tilla s’është vetëm një akt simbolik i nevojshëm për ta lënë në dorë të drejtësisë të vërtetën, duke shkëputur përgjegjësitë personale nga funksionimi i shtetit, por edhe një veprim i domosdoshem për te mundësuar punën e drejtësisë. Duke ngelur në detyrë zyrtari i hetuar jo vetëm që dekurajon rrëfimin e të vërtetës nga dëshmitarët vartës por rrezikon prishjen e provave dhe fshirjen e gjurmëve të shpërdorimeve.
Kombet e përparuara kanë begatuar pikërisht sepse kanë pasur elita politike që kanë qenë në nivelin që ka diktuar momenti historik dhe janë udhëhequr nga liderë që kanë vepruar si shtetarë të vërtetë duke u treguar të gatshëm për vetëmohim për hir të atdheut.
Historia e këtyre vendeve është e mbushur me raste të panumërta te burrave të shtetit që janë larguar në mënyrë dinjitoze kur kanë parë se po bëheshin pengesë për përparimin e vendeve të tyre. Kancelari gjerman ëilly Brandt dha dorëheqjen vetëm sepse u zbulua se një nga stafi i tij ishte spiun i komunistëve,Dë Goli dhe kryeministri francez Raffarin kanë dhënë dorëheqjen vetëm sepse dështuan referendumet që ata kishin mbështetur, Tony Blair dha dorëheqjen vetëm për zhgënjimin dhe pakënaqësinë që mbolli lufta në Irak dhe rasti tilla dorëheqjesh kalorsiake të politikanëve të rëndësishëm në Evropë mund të përmenden pa fund.
Po çfarë ndodh me fqinjët ballkanikë për sa i përket largimit të lidershipit. Modeli alternativ është ai i Serbisë me Milosheviçin, ku elita politike serbe edhe pse ishte kryekëput e përfshirë dhe bashkëfajtore për çfarëdo paudhësie të viteve 90-të, vendosi të distancohet për të siguruar nxjerrjen e vendit nga izolimi. Pra elita serbe për t’i siguruar vendit një të ardhme evropiane vendosi ta bëjë Milosheviçin kokëturku për gjithçka kishin bërë serbët duke sajuar një pseudorevolucion me organizatën OTPOR që në fakt ishte krejt i inskenuar dhe instrumentalizuar. Mirëpo ne shqiptarët e kemi traditën ndryshe, ne bëjmë kokë turku dhe sakrifikojmë atdheun për hir të liderit.
I vetmi rast i një dorëheqje vullnetare nga posti politik mes shqiptarëve deri tani ngelet ai i ish liderit socialist, Nanos. Imagjinohet lehtë se në çpikë të hallit është politika shqiptare kur për model të vetëm të largimit nga politika që ska ardhur prej kushteve natyrore apo prej shtrëngimit ka Fatos Nanon! Sot është për të ardhur keq kur shihet se si individë si Neritan Ceka, Nikollë Lesi apo disa aktorë politikë të spikatur të djathtë qe janë shndërruar në aleatë të Partisë Socialiste janë duke kapërdirë gjithë atë që kanë pas pështyrë kundër ish armiqve politikë vetëm e vetëm që të ngelen me çdo kusht në lojën politike. Bëhet fjalë për politikanë të cilët dikur kanë pas dëshmuar kurajo të lartë qytetare dhe ishin në anën e së drejtës por që tani janë vënë në shërbim të ish kundërshtarëve më të rreptë politikë të tyre.
Kjo situatë e moslargimit nga jeta politike me çdo kusht është njësoj si bërja e një loje shahu me një lojtar mediokër, që edhe kur gjendet në dizavantazh të qartë me gurë dhe disfata është e pritshme pas pak lëvizjes, nuk dorëzohet në mënyrë dinjitoze por insiston deri tek guri i fundit. Vazhdon me shpresën se mos fati e përmbys situatën sikur të ishin duke lozur tavëll me zare e jo shah. Rrinë me insistim në lojë deri sa të bëhen mat e mos të kenë ku të venë, pa dëgjuar orën që tregon se iu ka ardhur koha për të ikur dhe pa kuptuar se tërheqja e hershme është më e mirë për ata sesa dëbimi me turp.
Këmbëngulja e madhe për t’u kacavjerrë pas arenës politike edhe atëherë kur janë zbuar nga vota e popullit ose janë diskredituar tërësisht, tregon ose që këta njerëz nuk kanë besim tek aftësitë e tyre profesionale dhe e shohin veten se mund të mbijetojnë vetëm duke mjelë shtetin si politikanë ose zyrtarë të lartë ose që këta individë janë të përlyer dhe e kanë të doemosdoshme imunitetin që sigurohet prej të qenurit aktor aktiv i jetës publike në mënyrë që të shmangin hesapet që kanë me drejtësinë për zullumet që kanë bërë.
Me mënyrën si po shkojnë gjërat, elita politike mbarëkombëtare jona po i ngjason gjithnjë e më shumë një pellgu me ujë të qelbur që po e pengonë popullin tonë te shpalosë potencialin që ka për progres. Për sa kohë nuk largohet uji i vjetër i ndenjur dhe nuk lejohet të rrjedhë brenda ujë i ri dhe i freskët ky moçali ynë politik ka për tu bërë gjithnjë e më shumë një oaz për parazitët dhe shushunjat dhe një burim infeksioni për gjithë shoqërinë. Kjo papërgjeshmëri e lidershipit tonë politik në këto momente kardinale për kombin shqiptar mbase nuk ka për t’u frenuar në kohë ose mbase nuk do marrë ndëshkimin e merituar nga organet e drejtësisë, por gjithësesi nuk ka për t’i shpëtuar dënimit të historisë. Disa prej politikanëve më në zë nuk e dinë sa e pamërshirshme është historia në vendosjen e njollës dhe me sa lehtë fshihen e zhvleftësohen meritat e dikurshme prej mëkateve të bëra në një kohë të dytë. Nuk ka kurrfarë dyshimi që për kusuret që i kanë shkaktuar vendit disa prej politikanëve shqiptarë që sot krekosen e dominojnë politikën kanë për tu përmendur tërë përçmim në librat e historisë.
Topics: Uncategorized | No Comments »
« Previous Entries